Një incident i rëndë është regjistruar në bulevardin “Ismail Qemali” në Vlorë, ku një 15-vjeçar ka goditur me dashje një automjet policie, duke shkaktuar plagosjen e një efektiveje.
Sipas informacioneve paraprake, i mituri nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe është vënë në ndjekje nga forcat e rendit që nga zona e Çoles.
Gjatë përpjekjes për ta ndaluar, ai ka përplasur mjetin e policisë, duke bërë që automjeti të përmbyset. Si pasojë e përplasjes, një punonjëse policie ka mbetur e lënduar dhe është transportuar me urgjencë në spitalin rajonal të Vlorës, ku po merr trajtim mjekësor.
Në aksident është përfshirë edhe një automjet tjetër i tipit “Benz”, por fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar nga ky mjet.
15-vjeçari është shoqëruar në komisariat, ndërsa policia ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje.
