Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka konfirmuar publikisht ambicien për të kandiduar për kryetar të Bashkisë së Tiranës, duke theksuar se vendimi i tij është serioz dhe do ta çojë deri në fund.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Braçe hodhi poshtë çdo dyshim se bëhej fjalë për një deklaratë jo serioze, duke nënvizuar se nuk ka ndodhur kurrë që të tallet me qytetarët.
Ai theksoi se kandidimi nuk lidhet me ambicie apo interesa personale, por me bindjen se ekziston një mundësi reale për ta zhvilluar Tiranën në një dimension të ri dhe më përfshirës për qytetarët.
“E kam seriozisht dhe do t’i shkoj deri në fund, bashkë me ju. Nuk është ambicie personale, por një mundësi për ta zhvilluar këtë qytet në një dimension të ri,” shprehet Braçe.
Deklarata e tij vjen pak ditë pasi ai e artikuloi këtë synim edhe brenda mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, duke e kthyer tashmë në një qëndrim publik dhe politik.
