Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar zyrtarisht pas pretendimeve të grupit të hakerëve “Homeland Justice” për një sulm kibernetik ndaj institucioneve të drejtësisë në Shqipëri.
Në njoftimin e saj, institucioni bën të ditur se deri në këto momente nuk janë konstatuar gjurmë komprometuese që të vërtetojnë një ndërhyrje apo hakërim në sistemet e tij.
Sipas reagimit, ekspertët e sigurisë së teknologjisë së informacionit kanë kryer verifikime të menjëhershme dhe nuk kanë evidentuar shkelje të sigurisë.
Ndërkohë, theksohet se strukturat përkatëse vijojnë monitorimin e vazhdueshëm të sistemeve për të garantuar integritetin dhe sigurinë e të dhënave.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet mbi pretendimet janë në vijim, ndërsa çdo zhvillim i ri pritet të bëhet publik në vijim.
