GJKKO ka përzgjedhur përmes shortit elektronik trupën gjykuese që do të shqyrtojë çështjen ndaj kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci.
Relatore e çështjes është gjyqtarja Elsa Ulliri, ndërsa pjesë e trupës gjykuese janë edhe gjyqtarët Besmir Stroka dhe Irena Gjoka. Kjo treshe do të shqyrtojë gjithashtu edhe kërkesën e të pandehurve për gjykim të shkurtuar, e paraqitur në seancën e fundit.
Në këtë dosje, përveç Becit, janë marrë të pandehur edhe gjashtë bashkëpunëtorë të tij.
Sipas SPAK, kryebashkiaku akuzohet për shkelje të barazisë në tendera, lidhur me një procedurë konsulence të zhvilluar nga KESH në vitin 2019, me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjetik”, me vlerë rreth 96.5 milionë lekë.
Hetimet për këtë çështje kanë nisur pas referimit të materialeve nga Byroja Kombëtare e Hetimit, në vijim të sekuestrimit të celularëve në banesën e Evis Berberit.
Procesi pritet të vijojë me shqyrtimin e provave dhe vendimmarrjen për mënyrën e gjykimit të të pandehurve.
