Avokati Sokol Hazizaj ka komentuar zhvillimet më të fundit lidhur me hetimin ndaj ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, duke theksuar se situata juridike e saj është përkeqësuar.
I ftuar në një emision televiziv, Hazizaj u shpreh se me ecurinë e ngjarjeve dhe mënyrën si është trajtuar rasti, çështja ndaj Ballukut është “rënduar më shumë sesa është zhvlerësuar”.
Sipas tij, një qasje më e drejtpërdrejtë nga vetë Balluku do të kishte qenë më e përshtatshme në aspektin ligjor. Ai theksoi se do të ishte më normale që ajo të kundërshtonte vetë masat e sigurisë në GJKKO apo në Gjykatën Kushtetuese.
Hazizaj shprehu gjithashtu kritika për rolin e kryeministrit Edi Rama në këtë proces, duke e cilësuar të papërshtatshme ndërhyrjen e tij.
Sipas avokatit, do të kishte qenë më e drejtë dhe më në përputhje me standardet institucionale nëse kreu i qeverisë nuk do të ndërhynte duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për çështje që, sipas tij, “nuk kanë ekzistuar dhe nuk ekzistojnë”.
Deklaratat e Hazizajt vijnë në një moment kur hetimet e SPAK ndaj Ballukut vijojnë dhe çështja mbetet në qendër të debatit politik dhe juridik në vend.
