Aktivisti Aulon Kalaja ka denoncuar gjendjen e rënduar të një ure në zonën e Ishmit, duke ngritur shqetësimin për rrezikun e vazhdueshëm që u kanoset banorëve të Sukth-Vendas.
Sipas tij, ura është në gjendje të amortizuar dhe mbahet funksionale vetëm falë ndërhyrjeve të improvizuara nga vetë banorët, të cilët kanë vendosur dërrasa të gozhduara për të mundësuar kalimin e automjeteve.
Kalaja thekson se mbi këtë urë kalon çdo ditë një furgon që transporton rreth 30 fëmijë drejt shkollës në Bubq, çka e bën situatën edhe më alarmante për sigurinë.
Ura shërben si një pikë kyçe lidhëse mes dy zonave administrative, duke bashkuar territorin e bashkive Krujë dhe Durrës, dhe përdoret çdo ditë nga banorë dhe mjete.
Aktivisti ka kërkuar ndërhyrje urgjente nga autoritetet, duke ngritur pyetje publike edhe ndaj kryeministrit Edi Rama për standardet e infrastrukturës në vend.
Sipas tij, gjendja është aq e rrezikshme sa ura duhet të mbyllet edhe për këmbësorët, deri në ndërtimin e një infrastrukture të re dhe të sigurt.
