Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka reaguar ashpër ndaj situatës ekonomike në vend dhe rritjes së çmimeve, duke drejtuar kritika të forta ndaj kryeministrit Edi Rama.
Në një postim në rrjetet sociale, Noka akuzon qeverinë se gjatë 13 viteve në pushtet ka përkeqësuar ndjeshëm jetesën e qytetarëve, duke i detyruar ata të kërkojnë produkte më të lira jashtë vendit.
Sipas tij, shqiptarët janë kthyer në “turistë ditorë” në vendet fqinje si Kosovë, Maqedonia e Veriut dhe Greqi, për të blerë ushqime, ilaçe dhe karburant me çmime më të ulëta.
“I katandisi në turistë ditorë për të blerë produkte bazë jashtë vendit. Një realitet që as vetë nuk do ta besonte para 13 vitesh”, shprehet Noka në reagimin e tij.
Ai përdor edhe tone ironike ndaj kryeministrit, duke theksuar se në të kaluarën Rama premtonte shumë për të fituar votat, ndërsa sot qytetarët përballen me një realitet krejt ndryshe.
Deklaratat e Nokës vijnë në një klimë të nxehtë politike, ku rritja e çmimeve dhe ndikimi i krizave ndërkombëtare kanë shtuar përplasjet mes qeverisë dhe opozitës.
