Edi Rama: Lufta në Iran rriti çmimin e naftës, shteti do hyjë në treg me teknologji të re për markimin e karburanteve

Data

Kryeministri Edi Rama ka komentuar rritjen e çmimeve të karburanteve, duke theksuar se kjo lidhet drejtpërdrejt me zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe luftën në Iran.

Nga takimi i Asamblesë së Partia Socialiste në Njësinë nr. 2 në Tiranë, ai pranoi se tregu i naftës është ndikuar nga faktorë globalë, duke e cilësuar situatën si pjesë të një krize më të gjerë ndërkombëtare.

Sipas Ramës, qeveria ka ndërhyrë përmes Bordit të Transparencës për të kontrolluar çmimet, ndërsa paralajmëroi një ndryshim më të madh në tregun e karburanteve me përfshirjen direkte të shtetit.

“Po përgatitemi të futemi në treg për të garantuar rezervat dhe për të ndikuar që çmimi i naftës të jetë në parametra më të arsyeshëm,” u shpreh ai.

Një nga risitë kryesore që u prezantua është sistemi i ri i markimit të karburanteve, i zhvilluar në bashkëpunim me partnerë nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Ky sistem synon të luftojë kontrabandën dhe shmangien e detyrimeve fiskale.

Kryeministri kritikoi sistemin e mëparshëm të markimit, duke e cilësuar atë të manipulueshëm dhe jo efikas.

“Markuesi i vjetër ishte lehtësisht i manipulueshëm. Me teknologjinë e re do të gjurmojmë çdo sasi nafte dhe do të rrisim të ardhurat në buxhet,” tha Rama.

Ai shtoi se përveç rritjes së të ardhurave, sistemi i ri pritet të garantojë cilësi më të mirë për konsumatorët dhe një çmim më të drejtë në treg, megjithëse nuk dha detaje konkrete për nivelin e ardhshëm të çmimeve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related