Kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i Partia Socialiste, Edi Rama, ka nisur zyrtarisht përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme, gjatë një takimi me strukturat partiake në Njësinë nr. 2 në Tiranë.
Në fjalën e tij, Rama theksoi rëndësinë e organizimit të hershëm elektoral, duke nënvizuar se fitoret kërkojnë planifikim dhe strukturim të mirë në kohë.
Ai u ndal edhe te bilanci i qeverisjes, duke deklaruar se ekonomia shqiptare ka përballuar disa nga krizat më të mëdha të viteve të fundit, përfshirë tërmetin, pandeminë COVID-19, luftën në Ukrainë dhe së fundmi krizën e energjisë dhe naftës të lidhur me zhvillimet në Lindjen e Mesme.
Sipas tij, masat e ndërmarra nga qeveria kanë ndihmuar në stabilizimin e situatës dhe në mbështetjen e qytetarëve.
“Ekonomia funksionon dhe kjo shihet nga fakti që kemi rritur pagat në sektorin publik dhe privat, si dhe kemi nisur një plan disa vjeçar për rritjen graduale të pensioneve,” u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi gjithashtu se është rritur diferencimi i pagave bazuar në eksperiencën në punë, duke e cilësuar këtë si një hap drejt një sistemi më të drejtë shpërblimi.
Në lidhje me krizën e karburanteve, ai vuri në dukje rolin e Bordit të Transparencës në menaxhimin e çmimeve dhe paralajmëroi ndërhyrje më të madhe të shtetit në këtë treg, përfshirë përdorimin e teknologjive të reja për monitorimin dhe kontrollin e cilësisë së naftës.
Rama përmendi edhe zhvillimin e sektorit të turizmit, duke theksuar se vendi ka arritur një rekord prej mbi 12 milionë turistësh dhe rritje të ndjeshme të të ardhurave nga ky sektor.
Në fund, ai u bëri thirrje strukturave të partisë dhe drejtuesve vendorë që të përgatiten seriozisht për sfidat e ardhshme elektorale, duke theksuar se organizimi dhe puna në terren janë vendimtare për rezultatet.
