Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në Konferencën XXII Kombëtare të Gastro-Entero-Hepatologjisë, ku theksoi rëndësinë e etikës dhe profesionalizmit në mjekësi, përballë zhvillimeve të shpejta teknologjike.
Në fjalën e tij, kreu i shtetit vlerësoi këtë aktivitet si një nga ngjarjet më të rëndësishme shkencore në vend, duke nënvizuar rolin e komunitetit mjekësor në përmirësimin e shëndetit publik dhe cilësisë së jetës së qytetarëve.
Duke u ndalur te roli i inteligjencës artificiale, Begaj theksoi se teknologjia është një ndihmë e rëndësishme për diagnostikimin dhe trajtimin, por nuk mund të zëvendësojë vendimmarrjen njerëzore. Sipas tij, mjekësia mbetet një kombinim i shkencës me gjykimin, përgjegjësinë dhe marrëdhënien njerëzore me pacientin.
Ai solli si shembull faktin se, ndonëse inteligjenca artificiale mund të analizojë me shpejtësi të dhëna komplekse mjekësore, ajo nuk mund të zëvendësojë kontaktin njerëzor dhe besimin që ndërtohet mes mjekut dhe pacientit.
Në përfundim, Presidenti bëri thirrje për ruajtjen e standardeve etike në profesion, duke theksuar se nga betimi i Hipokratit deri sot, thelbi i mjekësisë mbetet i pandryshuar: mbrojtja e jetës, dinjitetit dhe mirëqenies së pacientit.
