Ish-deputeti Asllan Dogjani ka deklaruar se drejtori i ri i Policisë së Shtetit do të jetë i varur nga kryeministri Edi Rama dhe se asnjë emërim nuk bëhet pa miratimin e tij.
Sipas Dogjanit, problemi nuk lidhet me individin që do të zgjidhet në krye të Policisë, por me modelin e funksionimit të institucioneve. Ai theksoi se vendi ndodhet në një krizë të thellë politike dhe institucionale, e cila, sipas tij, reflektohet edhe në gjendjen e rendit dhe sigurisë.
Ai kritikoi mënyrën se si funksionon Policia e Shtetit, duke deklaruar se mungon profesionalizmi dhe se efektivët përballen me pasiguri edhe brenda strukturave të tyre. Sipas tij, kjo situatë ka sjellë largimin e shumë punonjësve dhe dobësimin e institucionit.
Dogjani u shpreh gjithashtu se në të kaluarën Policia ka pasur më shumë autoritet në luftën kundër krimit, ndërsa sot, sipas tij, është e vështirë të dallosh kufirin mes pushtetit dhe grupeve kriminale.
Në planin politik, ai deklaroi se kryeministri është në “orët e fundit” të qeverisjes dhe se zgjidhja, sipas tij, qëndron tek protestat, krijimi i një qeverie teknike dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Duke folur për situatën brenda opozitës, Dogjani theksoi se duhet të ketë garë të hapur dhe mendime të ndryshme, ndërsa paralajmëroi se përçarja e opozitës do të favorizonte mazhorancën.
Ai bëri thirrje për intensifikimin e aksionit opozitar, përfshirë protesta më të forta dhe forma të tjera presioni politik, si mënyrë për të sjellë ndryshim në vend.
