Pas rritjes së ndjeshme të çmimeve të karburanteve dhe produkteve ushqimore, tregu vendas pritet të përballet me një valë të re shtrenjtimi që do të prekë edhe detergjentët dhe preparatet larëse.
Prodhuesit vendas bëjnë me dije se lëndët e para për prodhimin e detergjentëve importohen nga jashtë dhe tashmë furnitorët kanë paralajmëruar rritje çmimesh nga 15 deri në 20%, krahasuar me periudhën para nisjes së konflikteve në rajon.
Rritja e kostove lidhet drejtpërdrejt me shtrenjtimin e karburanteve dhe energjisë, të cilat ndikojnë në procesin e prodhimit në fabrikat e huaja, si dhe me tarifat më të larta të transportit ndërkombëtar.
Sipas prodhuesve, efektet e këtyre rritjeve nuk do të ndihen menjëherë në treg, por pritet të reflektohen në fillim të muajit maj, për shkak të kohës së furnizimit që zgjat nga 30 deri në 45 ditë.
Edhe importuesit e produkteve të gatshme konfirmojnë të njëjtin trend, duke theksuar se çmimet janë rritur nga furnitorët e huaj dhe kjo do të ndikojë në mënyrë të pashmangshme te konsumatori final.
Një situatë e ngjashme u regjistrua edhe në vitin 2022, kur çmimet e detergjentëve u rritën me 10-20% për shkak të krizës së shkaktuar nga lufta në Ukrainë.
Të dhënat statistikore tregojnë se importet e këtij grupi produktesh kanë pasur luhatje, me një rritje gjatë vitit 2025 dhe një rënie në muajt e parë të vitit 2026, çka lidhet edhe me uljen e kërkesës nga konsumatorët.
Prodhuesit theksojnë se ndryshimet demografike dhe emigracioni kanë ndikuar në rënien e konsumit, duke e bërë tregun më të ndjeshëm ndaj luhatjeve të çmimeve dhe duke shtuar presionin mbi sektorin.
