Autoritetet europiane po intensifikojnë bashkëpunimin me Shqipërinë për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të grupeve kriminale, ndërsa vendi po shihet gjithnjë e më shumë si një pikë kyçe për pastrimin e parave.
Sipas një raporti të BIRN, SPAK ka sekuestruar dhjetëra prona dhe asete për llogari të vendeve të Bashkimit Europian dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Në periudhën 2020–2026 janë sekuestruar gjithsej 94 pasuri, përfshirë prona të paluajtshme, llogari bankare, kompani, para cash dhe mjete luksoze. Belgjika kryeson listën e kërkesave, e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Italia.
Hetimet tregojnë se grupet kriminale shqiptare operojnë kryesisht jashtë vendit, por Shqipëria përdoret si bazë për pastrimin e të ardhurave të tyre. Këto të ardhura investohen në pasuri të paluajtshme, biznese dhe asete luksoze.
Një nga rastet e përmendura lidhet me një rrjet kriminal në Britani, ku pas arrestimit të drejtuesit të tij, autoritetet kërkuan gjurmimin e pasurive në Shqipëri, të përfituara nga aktiviteti kriminal me vlerë mbi 1.4 milion paund.
Në një tjetër rast, autoritetet gjermane identifikuan investime të dyshimta në Shqipëri, përfshirë vila luksoze dhe automjete të shtrenjta, të cilat u sekuestruan me vendim gjykate.
Procesi i gjurmimit të pasurive realizohet përmes bashkëpunimit ndërkombëtar dhe letër-porosive mes shteteve, duke u bazuar në konventa europiane për konfiskimin e produkteve të krimit.
Ekspertët theksojnë se ky bashkëpunim është thelbësor për goditjen e krimit të organizuar, pasi i heq grupeve kriminale burimet financiare dhe dobëson aktivitetin e tyre.
Në të njëjtën kohë, Shqipëria po forcon mekanizmat ligjorë, përfshirë krijimin e strukturave të posaçme për rikuperimin e aseteve, me qëllim rritjen e efikasitetit në luftën kundër pastrimit të parave.
