Procesi për përzgjedhjen e drejtorit të ri të Policisë së Shtetit po hyn në fazën përfundimtare, ndërsa pritet që brenda javës të merret vendimi për pasuesin e Ilir Proda.
Komisioni i vlerësimit ka përfunduar intervistat me kandidatët dhe pritet të bëjë pikëzimin final, një proces që po monitorohet edhe nga ndërkombëtarët, duke rritur pritshmëritë për një përzgjedhje transparente.
Mes emrave më të favorizuar për këtë post përmenden figura me eksperiencë të gjatë në strukturat e sigurisë. Një nga kandidatët kryesorë është Tonin Vocaj, i njohur për drejtimin e Policisë së Tiranës dhe Policisë Kriminale, me mbi 40 vite eksperiencë në këtë fushë.
Gjithashtu, në listën e favoritëve përfshihet edhe Skënder Hita, i cili ka drejtuar disa qarqe të rëndësishme si Shkodra, Durrësi, Dibra dhe së fundmi Vlora.
Ndër kandidatët potencialë renditen edhe Elidon Çela, me eksperiencë në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, si dhe Lorenc Panganika, i cili ka mbajtur poste drejtuese në qarqe të mëdha si Tirana dhe Fieri.
Një tjetër emër që konsiderohet surprizë në këtë garë është Afrim Tafa, i cili, megjithëse me një periudhë më të shkurtër drejtimi, shihet si një figurë me potencial për të marrë drejtimin e Policisë.
Vendimi përfundimtar do t’i takojë Komisionit të Posaçëm në Ministrinë e Brendshme, i cili do të përgatisë një listë të renditur sipas pikëzimit. Më pas, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari do të propozojë emrin për miratim në Këshillin e Ministrave.
Kandidatët janë verifikuar edhe nga institucionet e drejtësisë si SPAK dhe SHISH, duke kaluar filtrin e integritetit përpara se të vijojnë garën.
Përzgjedhja e drejtuesit të ri të Policisë së Shtetit pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në menaxhimin e rendit dhe sigurisë publike në vend, në një kohë sfidash të shumta për institucionin.
