Një kamionçinë është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit në aksin rrugor Delvinë–Kardhiq.
Ngjarja ka ndodhur pranë tunelit të Skërficës, në segmentin që të çon drejt fshatit Senicë, në bashkinë Delvinë. Automjeti tip “MAN”, me drejtues shtetasin Leonard Budlla, ka marrë flakë gjatë lëvizjes.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit, duke shmangur përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Gjithashtu, në vend kanë ndërhyrë edhe forcat e policisë, të cilat paraprakisht dyshojnë se shkak i zjarrit mund të ketë qenë një defekt teknik në mjet.
Fatmirësisht, nga incidenti nuk ka persona të lënduar, ndërsa janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
