Një tjetër sulm kibernetik ka goditur institucionet shtetërore në Shqipëri, pasi pas faqes së Kuvendit, në shënjestër ka rënë edhe Posta Shqiptare.
Grupi i hakerëve “Homeland Justice” ka deklaruar në platformën Telegram se ka depërtuar në sistemet e këtij institucioni, duke pretenduar se ka në posedim të gjitha të dhënat.
Në reagimin e tyre, hakerët lidhin sulmin me akuza ndaj Postës Shqiptare për bashkëpunim me organizatën Muxhahedinët e Popullit të Iranit, e cila ka praninë e saj në kampin Ashraf 3 në Shqipëri.
Grupi ka publikuar një deklaratë me akuza të rënda ndaj zyrtarëve të institucionit, duke i cilësuar ata si të përfshirë në aktivitete të paligjshme dhe duke paralajmëruar për sulme të tjera në të ardhmen.
“Ne kemi faqen dhe të dhënat e Postës Shqiptare në duart tona. Nuk do t’ju lëmë të qetë”, thuhet në mesazhin e publikuar prej tyre.
Deri në këto momente, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Posta Shqiptare lidhur me këto pretendime, ndërsa faqja zyrtare e institucionit rezulton jashtë funksionit.
Ngjarja vjen në një kohë kur siguria kibernetike e institucioneve shqiptare është vënë në qendër të vëmendjes, pas disa incidenteve të ngjashme në të kaluarën.
