Çmimi i naftës në Shqipëri vijon të mbetet i lartë, duke arritur nga 214 deri në 217 lekë për litër në karburantet e kryeqytetit.
Kjo situatë ka mbetur pothuajse e pandryshuar gjatë javës së fundit, pavarësisht luhatjeve në bursat ndërkombëtare, të ndikuara kryesisht nga zhvillimet dhe tensionet në Lindjen e Mesme.
Për të shmangur rritjet abuzive të çmimeve, pritet që këtë javë të mblidhet për herë të parë bordi i transparencës, i cili do të vendosë çmimet tavan për tregtimin e karburanteve. Subjektet që nuk do të respektojnë këto çmime rrezikojnë masa ndëshkuese, duke përfshirë gjoba apo deri në pezullim të licencës.
Anëtarët e këtij bordi, që përfshijnë përfaqësues nga institucionet shtetërore dhe kompanitë e tregtimit të hidrokarbureve, pritet të caktohen me vendim qeverie gjatë kësaj jave.
Ndërkohë, qeveria ka paralajmëruar edhe një masë lehtësuese për qytetarët: nëse çmimi i naftës kalon nivelin prej 220 lekësh për litër, do të aplikohet një ulje prej 20% e akcizës.
