Himara ndez “temperaturat” politike, grekët shtojnë dozat e sulmeve, nga përplasjet, akuzat për plaçkitje pronash…

Data

Të dielën votohet për kryetar bashkie në Himarë për zgjedhjet e pjesshme, pas vendimit gjyqësor që dënoi për korrupsion elektoral ish kryetarin e zgjedhur të kësaj bashkie, Alfred Beleri (PD, PBDNJ+). Kjo bashki nuk zë peshë të rëndësishme në hierarkinë dhe strukturën e qeverisjes vendore në Shqipëri, por për shkak të pretendimeve dhe debatit politik midis Shqipërisë e Greqisë, si dhe interesit strategjik të disa prej oligarkëve e zyrtarëve kryesorë në vend për investime turistike, bashkia ka marrë vlerë të veçantë dhe zhvillimet aty kanë interes të dyfishtë. Përveç “zjarrit” që ndezi përzgjedhja e Fredi Belerit nga Sali Berisha edhe kandidmi i Petro Gjikurias ka ndezur debat, pasi sipas analistëve e ekspertëve ai është një dhërmjot, me vetidentifikim grek, i emigruar herët, pas një kalimi të beftë në Greqi, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas kalimeve të tij të shumta në organizmat e diasporës greke të atyshme, u atashua përfundimisht me Federatën Panepirotike të Amerikës, të drejtuar nga Nikolas Gejxh. Madje, në emër të kësaj federate, përshëndeste takimet në mbrojtje të “çështjes Beleri” pas zgjedhjeve të fundit në Himarë. Nikolas Gejxh, i lindur në një familje greke në Thesproti (Çamëri) e me peshë në jetën publike amerikane si shkrimtar, ka qenë për vite të tëra “non-grata” në Shqipëri, i caktuar si i tillë në vitin 1995, kur u akuzua, jo pa të drejtë, për ndërhyrje brutale në çështjet e brendshme të Shqipërisë, me synim destabilizimin e saj dhe ngritjen e çështjes “vorioepirotase”.

Përplasja Tavo-Gjikuria

Mes Gjikurias dhe kandidatit të Edi Ramës, Vangjel Tavo ka patur përplasje të forta këto ditë. Tavo e akuzoi Gjikurinë për vjedhje votash për bashkinë Himarë, ndërsa kandidati i opozitës, iu përgjigj me një video ku shprehet se nuk mundet opozita ti vjedhë vota pushtetit. Sipas Gjikurisë, e kundërta ka ndodhur në Himarë. Gjikuria kujton vjedhjen e atij që quajti, “mandatit të ligjshëm të Belerit”. Gjikuria adreson edhe çështjen e Tavos tashmë të kallëzuar në SPAK, për 13 personat që u zhvendosën nga Dropulli në Borsh. Ai vazhdoi më tej duke i bërë thirrje SPAK-ut të ndalojë manipulimin e zgjedhjeve të 4 gushtit në Himarë.

Manovrat

Gjithashtu këto ditë është ngritur edhe një shqetësim për listat e zgjedhësve në Himarë ku janë shtuar me 311 vetë nga 2023 në 2024. Shifrën e bëri të ditur nënkomisionerja e KQZ-së Lealba Pelinku në mbledhjen e Komisionit Rregullator ku po diskutohej pr/vendimi “Për përdorimin e pajisjes elektronike të identifikimit të zgjedhësve për zgjedhjet e pjesshme për kryetar të Bashkinë Himarë, të datës 4 gusht 2024″ Pelinku e quajti ndryshim vlerash anormal, dhe se do të dërgojë një kërkesë për informacion tek Gjendja Civile për të shpjeguar ndryshimin e vendbanimit të këtyre banorëve nga bashkitë e tjera në Himarë. Gjithashtu do të kërkohen dhe datat se kur janë bërë këto zhvendosje.

Shtohen akuzat

Vetë Sali Berisha ka shtuar akuzat në në daljet e tij të përnatshme nga banesa ku është izoluar dhe thirrja e tij për banorët e Himarës, ka qenë që të mbrojnë Himarën me votën e tyre ditën e diel. Më tej Berisha u shpreh se Vangjeli nuk është gjë tjetër veçse shpifa e Gole Tavos. “Thirrja ime për banorët e Himarës, himariotët kudo që janë, të mbrojnë Himarën me votën e tyre ditën e diel. Se Vangjeli nuk është gjë tjetër veçse kukulla e Edi Ramës. Se Vangjeli nuk është gjë tjetër veçse shpifa e Gole Tavos, bixhozxhiut famoz. Himara në bixhoz është ajo që u premton Vangjel Tavo me Golen. Mos e lejoni të votojë Golen dhe asnjë qytetar tjetër që nuk është me origjinë nga Bregu dhe që nuk është bregas. I përzini nga Himara, kanë ardhur si pushtues, të shkojnë në punë tyre këta mafiozë. Ndaj Gole, mos u paraqit kund në Himarë. Nuk ka pse paguajnë himariotët borxhet e bixhozeve tua. Rri atje në Lëkurës ku je,” tha Berisha.

Noka, Dule dhe Boçi në Shën Vasil

Nga ana tjetër Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, i shoqëruar nga kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule dhe nga nënkryetari i PD-së Luçiano Boçi kanë zhvilluar dje takime në Himarë në mbështetje të kandidatit të opozitës, Petro Gjikuria. Takimi është zhvilluar në njësinë administrative Shën Vasil, ku Noka, Dule dhe Boçi kanë bërë thirrje që të votohet Gjikuria. “Petro Gjikuria është zgjidhja për ju. Ai do qeverisë me ju dhe për ju. Ne ju dhamë tapi për tokat tuaja, ju banoreve të Shën Vasilit dhe këta kanë 11 vjet që bëjnë përpjekje t’ua rrëmbejnë. Asnjë votë plaçkitësve të bregut. Vota për zgjidhjen e halleve tuaja. Për të mbrojtur dhe gëzuar pronat tuaja”, është shprehur sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, gjatë takimeve me qytetarët.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related