Një ditë pas prezantimit të draftit për ligjin e referendumëve, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim në zyrë me drejtues të lartë të mazhorancës, ku në qendër të diskutimit ka qenë strategjia e komunikimit publik për këtë nismë.
Në takim morën pjesë kreu i grupit parlamentar Taulant Balla, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, ministri për Pushtetin Vendor Ervin Demo dhe ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin Erjona Ismaili.
Burime bëjnë me dije se diskutimet janë fokusuar kryesisht te mënyra se si do të prezantohet dhe shpjegohet drafti për publikun, si dhe te hapat që do të ndiqen në procesin e konsultimit.
Drafti për referendumet, i prezantuar një ditë më parë nga socialistët, parashikon disa forma të reja të demokracisë së drejtpërdrejtë, përfshirë referendume konsultative, kushtetuese dhe vendore. Nisma pritet të kalojë fillimisht në një proces të gjerë konsultimi me ekspertë dhe shoqërinë civile, përpara se të depozitohet në Kuvend.
Takimi në zyrën e kryeministrit sinjalizon se mazhoranca po i jep rëndësi të veçantë jo vetëm përmbajtjes së ligjit, por edhe mënyrës së komunikimit dhe perceptimit publik, në një moment kur çështjet politike dhe institucionale janë në qendër të debatit.
