Çmimet e larta të karburanteve në Shqipëri vijojnë të rëndojnë ndjeshëm mbi qytetarët, duke e renditur vendin me naftën më të shtrenjtë në rajon.
Aktualisht, një litër naftë tregtohet rreth 214 lekë (afërsisht 2.2 euro), ndërsa në vendet fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi çmimi luhatet rreth 1.6 euro për litër. Edhe në Kosovë, pavarësisht rritjes së fundit, çmimi mbetet më i ulët, rreth 1.7–1.8 euro.
Kjo diferencë nuk lidhet aq me tregun ndërkombëtar, sesa me strukturën e taksave. Shqipëria aplikon një nga barrat fiskale më të larta në rajon mbi karburantet.
Në përbërjen e çmimit përfshihen disa taksa kryesore:
- Taksa e qarkullimit: 27 lekë/litër
- Akciza: 39.4 lekë/litër
- Taksa e karbonit: 3 lekë/litër
- TVSH: 20% mbi çmimin final (duke përfshirë edhe taksat e tjera)
Kjo do të thotë se më shumë se gjysma e çmimit final përbëhet nga taksat. Konkretisht, një qytetar shqiptar paguan rreth 1.16 euro taksa për çdo litër naftë, ose rreth 53% të çmimit total.
Në krahasim:
- Në Kosovë: rreth 0.67 euro/litër (38.5%)
- Në Maqedoninë e Veriut: rreth 0.58 euro/litër (36%)
- Në Mal të Zi: rreth 0.55 euro/litër (35%)
Pra, shqiptarët paguajnë deri në dyfish më shumë taksa për karburant sesa qytetarët e vendeve fqinje.
Një tjetër faktor është mënyra e aplikimit të TVSH-së. Në Shqipëri ajo llogaritet mbi çmimin që përfshin edhe taksat e tjera, duke e rritur më tej barrën, ndërsa në disa vende të rajonit kjo praktikë nuk ndiqet ose është lehtësuar.
Nëse përjashtohen taksat, çmimi bazë i naftës (me shumicë dhe me kostot e biznesit) është pothuajse i njëjtë në të gjithë rajonin, rreth 1–1.1 euro për litër. Kjo tregon qartë se diferenca finale në çmim vjen kryesisht nga politika fiskale.
Situata ka shtuar presionin mbi qytetarët dhe bizneset, pasi rritja e çmimit të naftës reflektohet zinxhir në koston e transportit, ushqimeve dhe shërbimeve, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën e përditshme.
