Kreu i opozitës, Sali Berisha, ka paralajmëruar se shumë shpejt do të shpallet data dhe ora e protestës së radhës nga Partia Demokratike e Shqipërisë, duke theksuar se mobilizimi opozitar nuk do të ndalet.
Në deklaratën e tij, Berisha u shpreh se ajo që ai e quan “kryengritje paqësore” do të vijojë me intensitet deri në largimin e qeverisë së drejtuar nga Edi Rama. Sipas tij, protestat janë një reagim i drejtpërdrejtë i qytetarëve ndaj korrupsionit dhe qeverisjes aktuale.
“PD është e vendosur që kryengritja paqësore të vazhdojë me vendosmëri dhe nuk do të tolerojë që të vazhdohet kështu,” deklaroi ai.
Berisha hodhi akuza të forta edhe ndaj qeverisë dhe ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, duke i akuzuar për abuzime dhe vjedhje të fondeve publike. Ai shtoi se, pavarësisht përpjekjeve për të kontrolluar institucionet, sipas tij, nuk mund të kontrollohet “dinjiteti i qytetarëve”.
Ai u bëri thirrje shqiptarëve që të marrin pjesë në protestën e ardhshme, e cila sipas tij do të shpallet së shpejti dhe do të jetë “më e fuqishmja”.
Deklarata vjen në një moment tensioni politik në vend, ku protestat e fundit janë shoqëruar me përplasje dhe reagime të forta nga faktorë të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit.
