Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka vizituar protestuesit e arrestuar gjatë tubimit të së dielës, duke dhënë një mesazh të fortë politik kundër qeverisë.
Së bashku me kolegë të opozitës, ai u takua me të ndaluarit, për të cilët tha se janë të motivuar dhe të vendosur për të vijuar protestat. Sipas Nokës, ata kanë dhënë një mesazh të qartë se nuk do të ketë dorëzim përballë asaj që ai e cilëson si “narkoregjim”.
Deputeti theksoi se arrestimet nuk do ta ndalin opozitën, përkundrazi, sipas tij, do të shtojnë revoltën dhe mobilizimin qytetar. Ai paralajmëroi se protestat do të intensifikohen në ditët në vijim.
Në deklaratën e tij, Noka kritikoi ashpër institucionet dhe akuzoi pushtetin për përdorim të dhunës ndaj qytetarëve dhe opozitarëve. Ai u shpreh se personat përgjegjës për dhunë dhe abuzime do të mbajnë përgjegjësi ligjore në të ardhmen.
“Pushteti i horrave nuk do të ketë të gjatë. Populli opozitar do të japë verdiktin për këtë bandë kusarësh”, deklaroi ai, duke shtuar se çdo rast dhune po dokumentohet dhe do të ndiqet në rrugë ligjore.
