Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 27-vjetorin e nisjes së bombardimeve të NATO ndaj Serbisë, duke theksuar rëndësinë e aleancave ndërkombëtare në mbrojtjen e lirisë.
Në një reagim publik, ajo rikujtoi momentet e vitit 1999, kur Kosova, sipas saj, përballej me një rrezik ekzistencial, ndërsa ndërhyrja e NATO-s ndryshoi rrjedhën e historisë për vendin.
“27 vjet më parë, kur populli i Kosovës përballej me shfarosje nga Serbia gjenocidale, NATO veproi. Kosova nuk harron. Aleancat që mbrojnë lirinë duhet t’i ruajmë po aq sa vetë lirinë”, u shpreh Osmani.
Në mesazhin e saj, ajo ndau edhe një pjesë nga fjalimi i ish-presidentit amerikan Bill Clinton, i cili në atë kohë autorizoi nisjen e fushatës ajrore kundër forcave serbe.
Përmes këtij përkujtimi, presidentja e Kosovës theksoi se bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë mbetet thelbësor për sigurinë dhe të ardhmen e vendit.
