Nis sot seanca e dytë për Erion Veliaj, pas marrjes së 28 mijë faqeve të dosjes hetimore në qeli

Data

Sot pritet të zhvillohet seanca e dytë e gjyqit në themel për kryebashkiakun e Tiranë, Erion Veliaj, i cili ndodhet në arrest prej shkurtit të vitit 2025.

Në këtë proces gjyqësor janë të përfshirë edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, si dhe 28 persona dhe subjekte të tjera.

Në seancën e parë, të zhvilluar më 9 mars, Veliaj arriti të sigurojë një vendim të rëndësishëm, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) pranoi kërkesën e tij për të marrë të gjitha aktet e dosjes hetimore.

Pas këtij vendimi, Prokuroria e Posaçme (SPAK), përmes Byrosë Kombëtare të Hetimit, i dorëzoi në qeli rreth 28 mijë faqe dokumentesh, pjesë e 72 fashikujve të dosjes, në funksion të mbrojtjes së tij ligjore.

Veliaj nuk ishte i pranishëm fizikisht në seancën e parë dhe u përfaqësua nga një avokate e caktuar kryesisht, ndërsa përmes një deklarate ai pretendoi se procesi kishte kaluar në gjykim pa u zhvilluar më parë seanca paraprake.

Edhe bashkëshortja e tij mungoi në seancë për arsye shëndetësore, ndërsa të pandehurit e tjerë u përfaqësuan nga avokatët e tyre. I vetmi që u paraqit fizikisht ishte një nga biznesmenët e përfshirë në çështje.

Sipas akuzës, Veliaj përballet me disa vepra penale, përfshirë korrupsion pasiv në disa raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe shpërdorim detyre. Prokuroria pretendon se ai ka përfituar para dhe pasuri nga kompani që kanë marrë leje ndërtimi apo fonde publike nga Bashkia e Tiranës.

Akuza të ngjashme rëndojnë edhe mbi bashkëshorten e tij, ndërsa biznesmenët e përfshirë dyshohen për korrupsion aktiv dhe fshehje të të ardhurave.

Ndërkohë, një tjetër zhvillim i rëndësishëm pritet më 20 maj, kur Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë ankimin e Veliajt lidhur me masën e sigurisë “arrest me burg”.

Seanca e sotme pritet të jetë kyçe për vijimin e procesit, në një nga çështjet më të rëndësishme të drejtësisë në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related