Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë në Podujevë, ku humbën jetën tre persona: Iliaz Brahimi, Miradije Gashi dhe autorja e dyshuar Ardita Gashi.
Një familjar i kësaj të fundit, që ka kërkuar të mbetet anonim, ka treguar për mediat se familja nuk kishte pasur konflikte dhe nuk ishte në dijeni për raportin mes 31-vjeçares dhe viktimës.
Sipas tij, pas ngjarjes së parë, Ardita Gashi është drejtuar në banesën e të afërmve, ku ndodheshin edhe anëtarë të tjerë të familjes, përfshirë fëmijë. Ajo u ka kërkuar të dalin nga dhoma, duke thënë se kishte për të biseduar me Miradije Gashin.
“Pasi kanë dalë, janë dëgjuar krisma. Ne kemi vrapuar menjëherë. Ajo ishte mbyllur në dhomë. Kur vëllai tentoi të hynte, ajo i drejtoi armën vetes dhe e paralajmëroi të largohej”, ka rrëfyer familjari.
Sipas të njëjtit burim, autorja ka përdorur një armë zjarri të tipit pistoletë, duke përgënjeshtruar pretendimet fillestare për përdorimin e armëve automatike.
Nga hetimet paraprake rezulton se Iliaz Brahimi u qëllua brenda automjetit të tij, pasi ishte ftuar nga autorja. Ndërsa Miradije Gashi ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.
Pas ngjarjes, Ardita Gashi qëlloi edhe veten dhe humbi jetën më vonë në spital, duke e çuar në tre numrin e viktimave të kësaj tragjedie.
Autoritetet në Kosovë vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.
