Një 21-vjeçar është arrestuar në Shkodër, pasi dyshohet se ka ndihmuar një person të shpallur në kërkim të largohej nga vendi i ngjarjes pas një konflikti me armë zjarri.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Grudë e Re”, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit K. F., 21 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re.
Sipas hetimeve, më 16 janar 2026, i riu ka transportuar me automjet shtetasin E. K., i cili dyshohet se ishte përfshirë në një konflikt për motive të dobëta dhe kishte përdorur armë zjarri, pa shkaktuar pasoja.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Shkodër ka lëshuar urdhër ndalimi për 21-vjeçarin për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Materialet procedurale janë referuar për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
