Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e Fitër Bajramit, duke theksuar rëndësinë e kësaj feste për forcimin e unitetit dhe solidaritetit në shoqëri.
Gjatë një vizite në Bashkësinë Islame të Kosovës, ku u takua me Myftiun Naim Tërnava, Osmani uroi që kjo ditë e shenjtë të sjellë më shumë mirësi, paqe dhe bashkim mes qytetarëve.
Ajo shprehu shpresën që lutjet dhe sakrificat e muajit të Ramazanit të jenë pranuar dhe që kjo festë të ndikojë në hapjen e zemrave dhe forcimin e vlerave njerëzore.
Sipas saj, pikërisht këto vlera – solidariteti, bashkimi dhe mbështetja për njëri-tjetrin – kanë ndihmuar popullin e Kosovës të përballojë edhe periudhat më të vështira në histori.
Presidentja theksoi se Fitër Bajrami mbetet një moment reflektimi dhe një mundësi për të forcuar lidhjet mes njerëzve, duke ndërtuar një shoqëri më të bashkuar dhe më humane.
