Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka ngritur alarmin për pasojat që pritet të sjellë rritja e çmimit të naftës në Shqipëri, duke e cilësuar situatën si kritike.
Në një dalje mediatike, Malaj theksoi se vendi është prekur ndjeshëm nga shtrenjtimi i karburanteve dhe se mungojnë masat konkrete nga qeveria për të mbështetur qytetarët.
Ai identifikoi katër kategori që sipas tij kanë nevojë urgjente për ndihmë: shtresat në nevojë, pensionistët, përfituesit e ndihmës sociale dhe sektori i bujqësisë.
Sipas Malajt, Shqipëria mbetet ndër vendet e pakta në Europë që nuk ka ndërmarrë një paketë sociale për të përballuar krizën e çmimeve, ndërsa kritikoi edhe mënyrën e funksionimit të strukturave të kontrollit, të cilat sipas tij krijojnë hapësira për abuzime.
Ai sugjeroi që qeveria të bëjë një inventar të plotë të rezervave strategjike të naftës dhe të ndërhyjë për të parandaluar fitimet abuzive në treg.
Duke sjellë shembuj nga vendet e rajonit dhe Bashkimit Europian, Malaj përmendi modele si Greqia dhe Kroacia, të cilat kanë ndërmarrë politika për të taksuar fitimet e tepërta dhe për të mbështetur qytetarët.
Ai paralajmëroi se krizat e naftës janë të përsëritura dhe kërkojnë reagim të shpejtë institucional, duke theksuar se edhe në rast të përfundimit të tensioneve ndërkombëtare, ulja e çmimeve nuk do të jetë e menjëhershme.
Në përfundim, Malaj nënvizoi se mungesa e masave konkrete rrezikon të rëndojë më tej ekonominë familjare dhe të rrisë presionin social në vend.
