Qeveria italiane e drejtuar nga Giorgia Meloni ka vendosur të ulë taksat mbi karburantet si masë të përkohshme për të përballuar rritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Vendimi u mor në mbledhjen e Këshillit të Ministrave më 18 mars, duke parashikuar një ulje prej rreth 25 cent për litër për një periudhë trejavore.
Meloni theksoi se kjo është një ndërhyrje konkrete për të lehtësuar barrën mbi qytetarët, në një kohë kur çmimet janë rritur për shkak të krizës në Lindjen e Mesme.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri Matteo Salvini deklaroi se falë kësaj mase, italianët do të paguajnë më pak për karburantin krahasuar me disa vende të tjera europiane si Franca, Gjermania dhe Spanja.
Qeveria italiane ka paralajmëruar gjithashtu kontroll më të rreptë mbi tregun, përmes autoriteteve financiare dhe atyre të konkurrencës, për të parandaluar rritje të pajustifikuara të çmimeve në pikat e furnizimit.
Kjo masë shihet si një përgjigje e shpejtë ndaj luhatjeve të tregut global të energjisë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të zgjatet edhe përtej afatit trejavor.
