Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, nga Brukseli, ka deklaruar se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian është bllokuar për shkak të korrupsionit në qeverisje.
Gjatë pjesëmarrjes në aktivitetet e 50-vjetorit të Partia Popullore Europiane (PPE), Berisha theksoi se kjo forcë politike mbështet fuqishëm Partinë Demokratike dhe procesin e integrimit të Shqipërisë, por mbi bazën e meritës.
Ai nënvizoi se Shqipëria ka mbetur pas në procesin e negociatave, duke e lidhur këtë situatë me, sipas tij, “dosjet e korrupsionit” të kryeministrit Edi Rama.
Berisha theksoi gjithashtu se raporti mes PD-së dhe PPE-së është i ngushtë dhe i qëndrueshëm, duke përmendur rezolutat e kësaj të fundit në mbështetje të opozitës shqiptare.
Në fjalën e tij, ai solli në vëmendje edhe zhvillimet e fundit në Bruksel, ku Mali i Zi ka avancuar në procesin e integrimit, ndërsa Shqipëria, sipas tij, ka mbetur në vendnumëro.
Ai e cilësoi situatën si një “bllokim” të shkaktuar nga mungesa e progresit në luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit.
Në përfundim, Berisha deklaroi se integrimi europian mbetet një objektiv madhor, por kërkon reforma reale dhe rezultate konkrete për t’u arritur.
