Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ka paralajmëruar pasoja serioze për Shqipërinë si rezultat i ngecjes së procesit të integrimit në Bashkimi Evropian.
Në një intervistë televizive, Panariti u shpreh se vendi ka humbur një moment të rëndësishëm gjeostrategjik për avancimin drejt BE-së, sidomos në kontekstin e zhvillimeve pas luftës në Ukrainë, kur zgjerimi u rikthye si prioritet për unionin.
Sipas tij, ndryshe nga Mali i Zi dhe Moldavia që po përparojnë me ritme të shpejta, Shqipëria ka mbetur në vend për shkak të krizave të brendshme politike dhe përplasjes mes ekzekutivit dhe sistemit të drejtësisë.
Panariti theksoi se një nga pasojat më të drejtpërdrejta është bllokimi i fondeve europiane, veçanërisht programit IPARD III për bujqësinë, duke dëmtuar rëndë sektorin rural dhe zhvillimin ekonomik.
Ai argumentoi se problemet lidhen edhe me humbjen e besueshmërisë së institucioneve shqiptare, pas gjetjeve të abuzimeve financiare dhe kërkesës për kthimin e mbi 80 milionë eurove nga Bashkimi Evropian.
Sipas Panaritit, për të rifituar aksesin në këto fonde, Shqipëria duhet të kalojë një proces të ri akreditimi, të përmirësojë sistemet e kontrollit dhe të garantojë transparencë në shpërndarjen e fondeve.
Ai theksoi se vonesat dhe mungesa e veprimit nga qeveria rrezikojnë që vendi të humbasë sërish mundësinë për përfitime financiare nga BE.
Në përfundim, Panariti deklaroi se interesat politike dhe personale po vendosen mbi interesin kombëtar të integrimit, duke e çuar procesin drejt një bllokade që mund të ketë pasoja afatgjata për zhvillimin dhe perspektivën europiane të Shqipërisë.
