Detaje të reja kanë dalë në lidhje me ngjarjen tragjike ku 25-vjeçarja Xhuana Nikolli humbi jetën në Tiranë, ndërsa një familjare e ish-bashkëshortit të saj, Eraldo Fizi, ka reaguar publikisht.
Në një intervistë televizive, ajo u shpreh se familja është e tronditur nga ajo që ka ndodhur dhe se nuk kishte dijeni për ndarjen e çiftit. Sipas saj, martesa ishte celebruar me një dasmë të madhe dhe gjithçka dukej normale në fillim.
“Jemi të shokuar edhe për divorcin, nuk e kemi ditur. E kemi marrë vesh vetëm pas ngjarjes”, u shpreh ajo, duke shtuar se lajmi ka qenë i papërballueshëm për familjen.
E pyetur për pretendimet e familjes së viktimës për dhunë, ajo deklaroi se, për aq sa e njeh familjen, nuk beson që një gjë e tillë të ketë ndodhur. Ajo theksoi se në përvojën e saj shumëvjeçare në atë familje nuk ka parë shenja dhune.
“Nuk më shkon në mendje se mund të ketë ushtruar dhunë. Janë njerëz që nuk janë për dhunë”, u shpreh ajo, duke shtuar se dhimbja është e madhe për të dyja familjet.
Familjarja tregoi gjithashtu se takimi i fundit me çiftin kishte ndodhur vetëm pak ditë pas dasmës, kur ata po planifikonin një udhëtim jashtë vendit.
Ngjarja vijon të jetë nën hetim nga autoritetet, ndërsa deklaratat e palëve të përfshira pritet të verifikohen në kuadër të procesit ligjor.
