“E godita në fytyrë, nuk e di sa herë”/ 24-vjeçari rrëfen në gjyq dhunën ndaj 22-vjeçares shqiptare para krimit tronditës

Data

Detaje të reja tronditëse kanë dalë në dritë nga procesi gjyqësor ndaj 24-vjeçarit Mark Samson, i akuzuar për vrasjen e ish-të dashurës së tij, studenten shqiptare 22-vjeçare Ilaria Sula.

Gjatë dëshmisë në sallën e gjyqit, i riu ka pranuar për herë të parë se ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj para krimit, duke rrëfyer: “E godita në fytyrë me grusht, nuk e di sa herë. Bërtiti pak”.

Pas rreth tre orësh marrje në pyetje, ku herë ndryshonte versionin dhe herë përpiqej të minimizonte përgjegjësinë, ai pranoi se kishte vepruar nën ndikimin e zemërimit të akumuluar. Sipas tij, shkak ishte bërë leximi i mesazheve të vajzës me persona të tjerë, por theksoi se tensioni kishte ardhur nga probleme të vazhdueshme në marrëdhënie.

Më herët, 24-vjeçari kishte deklaruar se e kishte goditur me bërryl, por tani ka ndryshuar version, duke pranuar se e ka goditur me grushte dhe se disa nga dëmtimet në duart e tij kishin ardhur pikërisht nga kjo dhunë.

Në sallën e gjyqit, prokuroria paraqiti edhe foto të dëmtimeve në fytyrën e viktimës, ndërsa momentet ishin tepër të vështira për familjarët. Babai i të resë u largua nga salla i tronditur, ndërsa nëna e saj e ndoqi për ta mbështetur.

Sipas dëshmisë së të pandehurit, marrëdhënia mes tyre ishte përkeqësuar kohët e fundit. Ai pranoi se kishte gënjyer vazhdimisht për jetën e tij personale dhe akademike, gjë që ishte zbuluar nga viktima. Pas kësaj, lidhja kishte hyrë në krizë dhe vajza kishte kërkuar më shumë hapësirë dhe liri.

Ai rrëfeu gjithashtu se kishte hyrë në llogaritë personale të saj në rrjetet sociale pa dijeninë e saj dhe kishte kontrolluar komunikimet e saj.

Megjithatë, pavarësisht pranimit të disa elementëve, në dosje mbeten ende shumë pikëpyetje për dinamikën e plotë të ngjarjes. Prokuroria ka ngritur dyshime mbi disa detaje të dhëna nga i pandehuri, përfshirë pretendimet e tij për momentet e fundit para krimit.

Ngjarja, e ndodhur më 26 mars 2025, vijon të tronditë opinionin publik, ndërsa procesi gjyqësor pritet të hedhë më shumë dritë mbi rrethanat dhe përgjegjësitë e plota të këtij krimi të rëndë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related