Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Klevis Balliu, deklaroi se prej gati dy muajsh ka kërkuar interpelanca parlamentare me kryeministrin Edi Rama për çështje që, sipas tij, prekin drejtpërdrejt sigurinë kombëtare, ekonominë dhe integrimin europian të Shqipërisë, por pa marrë përgjigje.
Sipas Balliut, një nga shqetësimet kryesore lidhet me pastrimin e parave në sektorin e ndërtimit, fenomen që ai tha se konfirmohet edhe nga raporte ndërkombëtare të institucioneve amerikane, europiane dhe italiane.
“Në Shqipëri po deformohet rëndë tregu imobiliar nga flukse masive kapitali me origjinë kriminale, duke prodhuar rritje artificiale të çmimeve dhe fenomenin dramatik të brezit pa shtëpi”, deklaroi ai.
Deputeti i opozitës hodhi akuza edhe ndaj AKSHI, duke pretenduar se qindra miliona euro të taksave publike dyshohet se janë përfshirë në një skemë abuzive dhe korruptive.
Ai përmendi emrat e Mirlinda Karçanaj, Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi si pjesë e asaj që e cilësoi një sistem ku ndërthuren pushteti politik dhe interesat kriminale.
Balliu foli edhe për projektin “Smart City”, të cilin e konsideroi një projekt survejimi masiv me kosto të fryrë. Sipas tij, vlera e projektit është rritur nga 60 në 118 milionë euro në pak muaj, ndërsa ngriti shqetësime për lidhjet e kompanive partnere me struktura kineze të survejimit dhe inteligjencës.
“Kjo çështje prek drejtpërdrejt sigurinë kombëtare dhe integritetin strategjik të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s”, u shpreh ai.
Në përfundim, Balliu deklaroi se shmangia e interpelancave nga ana e kryeministrit përbën, sipas tij, një përpjekje për të shmangur llogaridhënien publike për çështje që lidhen me korrupsionin, pastrimin e parave dhe sigurinë e vendit.
