Gjykata e Prishtinës konfirmon aktakuzën ndaj ish-ministres Rozeta Hajdari dhe 3 zyrtarëve për abuzime me rezervat shtetërore

Data

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur të konfirmojë aktakuzën ndaj ish-ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe tre zyrtarëve të tjerë, duke hapur rrugën për vijimin e procesit gjyqësor ndaj tyre. Vendimi u mor pasi trupi gjykues rrëzoi si të pabazuara kërkesat e mbrojtjes, të cilat synonin kundërshtimin e provave dhe hedhjen poshtë të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Çështja lidhet me dyshime për keqpërdorim të rezervave shtetërore gjatë vitit 2022. Sipas aktakuzës, Hajdari dhe zyrtarët Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, në bashkëkryerje me persona të tjerë, dyshohet se kanë abuzuar me detyrën duke ndërmarrë procedura për blerjen e sasive të vajit dhe grurit nga jashtë vendit, mallra që sipas hetimeve nuk kanë mbërritur kurrë në Kosovë. Nga këto veprime pretendohet se i është shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej rreth 3 milionë eurosh.

Procesi gjyqësor për këtë çështje kishte nisur në fillim të këtij viti, me seancën e parë të mbajtur më 13 janar. Një seancë paraprake kishte dështuar më herët për shkak të mungesës së ish-ministres, e cila kishte pretenduar se nuk ishte njoftuar për datën e gjykimit, pretendim që u hodh poshtë nga gjykata duke sqaruar se njoftimi ishte bërë sipas procedurave ligjore.

Me konfirmimin e aktakuzës, çështja hyn në fazën e shqyrtimit gjyqësor, ku pritet paraqitja e provave dhe dëgjimi i palëve. Deri në përfundim të procesit dhe një vendimi të formës së prerë, të gjithë të pandehurit konsiderohen të pafajshëm.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related