Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar pas faktit që Kuvendi nuk votoi projektrezolutat për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare dhe Autoritetin e Konkurrencës, edhe pse ato ishin miratuar më herët në Komisionin parlamentar të Ekonomisë.
Sipas Braçes, është e papranueshme që një seancë plenare të mos marrë në votim rezolutat e një komisioni parlamentar pa dhënë arsye të qarta, sidomos kur ato lidhen me institucione që ndikojnë drejtpërdrejt interesin publik.
Ai theksoi se një nga çështjet kryesore që duhej trajtuar për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare ishte rishikimi i sistemit bonus-malus për sigurimin e detyrueshëm të automjeteve, pasi sipas tij sistemi aktual penalizon më shumë drejtuesit e mjeteve sesa i shpërblen ata që nuk shkaktojnë aksidente.
Braçe ngriti gjithashtu shqetësime për tregun e sigurimeve, duke theksuar se Autoriteti i Konkurrencës duhet të hetojë me prioritet nëse ekzistojnë praktika që kufizojnë konkurrencën dhe ndikojnë në çmimet e policave të sigurimit.
Sipas tij, ka dyshime se kompanitë e sigurimeve mund të kenë krijuar marrëveshje që ndajnë tregun dhe kufizojnë konkurrencën, duke ndikuar drejtpërdrejt në çmimet që paguajnë qytetarët.
Nga ana tjetër, Kuvendi ka sqaruar se raportimet për këto institucione nuk u zhvilluan në seancë plenare për shkak të mungesës së titullarëve të tyre, ndërsa raportimi pritet të bëhet në një seancë tjetër sipas kalendarit që do të miratohet nga Konferenca e Kryetarëve.
