Udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, raportohet se është transferuar në Moskë për trajtim mjekësor pas plagëve të marra gjatë sulmeve ajrore të fundit.
Sipas mediave kuvajtiane, Khamenei, 56 vjeç, djali i ish-udhëheqësit suprem Ajatollah Ali Khamenei, u dërgua fillimisht në Spitalin Universitar Sina në Teheran pas një sulmi që dyshohet se kishte në shënjestër drejtues të lartë iranianë gjatë operacioneve të fundit të SHBA-së dhe Izraelit.
Për shkak të gjendjes së tij, raportohet se u organizua një operacion tepër sekret për transferimin e tij në Rusi. Sipas agjencisë kuvajtiane Al-Jarida, lideri iranian u transportua me një avion ushtarak rus drejt Moskës.
Raportimet shtojnë se ndërhyrja kirurgjikale është ofruar personalisht nga presidenti rus Vladimir Putin dhe se pas mbërritjes në Rusi Khamenei është dërguar në një nga rezidencat presidenciale, ku thuhet se iu nënshtrua një operacioni që rezultoi i suksesshëm.
Megjithatë, këto informacione nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet iraniane apo ruse.
Deklaratat e fundit të presidentit amerikan Donald Trump kanë shtuar spekulimet mbi gjendjen e liderit iranian. Trump ka sugjeruar se Khamenei mund të ketë pësuar plagë të rënda gjatë sulmeve dhe madje mund të jetë “i shpërfytyruar”, pa dhënë detaje të tjera.
Mungesa e Mojtaba Khameneit në publik që nga marrja e detyrës ka nxitur gjithashtu shumë spekulime për gjendjen e tij shëndetësore.
Në përpjekje për të kundërshtuar këto zëra, televizioni shtetëror iranian transmetoi një deklaratë që pretendohet se ishte mesazhi i tij i parë pas marrjes së pushtetit, ku paralajmërohej hakmarrje për viktimat iraniane dhe vazhdim i operacioneve kundër kundërshtarëve.
Ndërkohë, sipas disa raportimeve të mediave amerikane, ish-udhëheqësi suprem Ali Khamenei kishte shprehur më parë dyshime për aftësinë e djalit të tij për të udhëhequr Iranin. Sipas një analize të cituar nga CBS, shërbimet e inteligjencës amerikane kishin informuar zyrtarë të lartë në SHBA për rezervat që ai kishte ndaj pasardhjes së tij.
