Fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait u pezulluan përkohësisht gjatë natës pas një incidenti të lidhur me një dron, i cili shkaktoi një zjarr pranë një rezervuari karburanti.
Autoritetet lokale bënë të ditur se masa u mor si paraprake për të garantuar sigurinë e pasagjerëve dhe stafit të aeroportit.
Sipas njoftimit zyrtar, nuk raportohet për persona të lënduar nga incidenti, ndërsa ekipet e emergjencës ndërhynë menjëherë për të vënë situatën nën kontroll.
Në një reagim në rrjetin social X, autoritetet e aeroportit theksuan se ndalimi i përkohshëm i trafikut ajror ishte i nevojshëm për të garantuar sigurinë publike.
Udhëtarët janë këshilluar të kontaktojnë linjat e tyre ajrore për informacione dhe përditësime të mëtejshme lidhur me fluturimet.
