Një përplasje në distancë është regjistruar mes presidentit të Kroacisë, Zoran Milanović, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas deklaratave të ndërsjella lidhur me armatosjen e Serbisë dhe pretendimet për plane sulmi ndaj saj.
Milanović deklaroi se nuk e kupton pse Serbia po furnizohet me armë që i cilësoi si sulmuese, duke komentuar edhe deklaratat e Vuçiçit sipas të cilave Kroacia, Shqipëria dhe Kosova do të kishin plane për të sulmuar Serbinë.
Presidenti kroat ironizoi këto pretendime, duke thënë se një skenar i tillë nuk është realist.
“Si duhet të sulmojmë? Me çfarë? Ne nuk kemi ushtri për këtë. Në fund të fundit, unë vendos për këtë”, u shpreh Milanović, duke e cilësuar deklaratën e Vuçiçit si të pakuptimtë.
Ai shtoi se Serbia po shpenzon shumë për armatim dhe përmendi edhe blerjet e armëve nga Kina, Rusia dhe Izraeli. Sipas tij, disa nga sistemet e përmendura, përfshirë raketat me rreze të mesme veprimi, janë armë të rrezikshme dhe të pazakonta për rajonin.
“Është një armë e rrezikshme. Asnjë vend europian nuk e ka, ndërsa tani e ka Serbia”, deklaroi presidenti kroat.
Reagimi i presidentit serb erdhi menjëherë. Gjatë një vizite në Bajina Bashta, Vuçiç theksoi se askush nuk mund t’i diktojë atij se çfarë duhet të thotë.
“Emri im është Aleksandar Vuçiç dhe jam presidenti krenar i Serbisë. As presidenti kroat dhe as kushdo tjetër nuk do të më diktojnë se çfarë do të them”, u shpreh ai.
Vuçiç shtoi se Serbia synon paqe dhe stabilitet në rajon, ndërsa theksoi se vendi i tij po forcon kapacitetet mbrojtëse dhe po përparon ekonomikisht.
