Autoritetet izraelite kanë lëshuar urdhra evakuimi për disa lagje në periferi të Bejrutit, duke paralajmëruar banorët të largohen menjëherë përpara sulmeve të mundshme ushtarake.
Në një postim në rrjetin social X, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, bëri të ditur se paralajmërimi vlen për banorët e zonave Haret Hreik, Ghobeiry, Laylaki, Bourj el-Barajneh, Ghadir Perimeter dhe Shiyah.
Sipas tij, ushtria izraelite mund të ndërmarrë sulme ndaj objektivave të lidhura me Hezbollahun.
“Ushtria e mbrojtjes nuk do të hezitojë të godasë këdo që ndodhet pranë elementëve të Hezbollahut, objektet e tyre ose mjeteve të tyre luftarake. Ju po rrezikoni jetën tuaj, prandaj largohuni menjëherë nga zona”, deklaroi Adraee.
Ndërkohë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, të paktën 826 persona, përfshirë edhe fëmijë, kanë humbur jetën nga sulmet izraelite.
Autoritetet libaneze raportojnë gjithashtu se 31 punonjës të sektorit shëndetësor janë vrarë, ndërsa qindra mijëra banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të bombardimeve dhe urdhrave të evakuimit.
