Koreja e Jugut po shqyrton mundësinë e dërgimit të një anijeje luftarake në Ngushticën e Hormuzit, në kuadër të përpjekjeve për të garantuar sigurinë e lundrimit në këtë zonë strategjike.
Sipas mediave lokale, zyra presidenciale e Koresë së Jugut ka bërë të ditur se do të analizojë me kujdes thirrjen e presidentit amerikan Donald Trump drejtuar aleatëve të SHBA-së për të kontribuar me anije luftarake në mbrojtjen e kësaj rruge të rëndësishme detare.
“Ne do të jemi në komunikim të ngushtë me SHBA-në lidhur me këtë çështje dhe do të marrim një vendim pas një vlerësimi të kujdesshëm”, thuhet në deklaratën e zyrës presidenciale.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë dhe tensionet e fundit në rajon kanë rritur shqetësimet për sigurinë e lundrimit.
Ndërkohë, edhe Britania e Madhe po shqyrton mundësinë e dërgimit të anijeve luftarake për të mbajtur të hapur këtë korridor detar.
Një zëdhënës i Ministrisë britanike të Mbrojtjes tha se Londra është në diskutime me aleatët dhe partnerët për të vlerësuar opsionet që do të siguronin lëvizjen e sigurt të anijeve në rajon.
