Tensionet në Lindjen e Mesme ndikojnë në Formula 1, anulohen Çmimet e Mëdha të Bahreinit dhe Arabisë Saudite

Data

Tensionet e fundit në Lindjen e Mesme kanë prekur edhe botën e sportit, pasi Formula 1 ka vendosur të anulojë dy gara të rëndësishme të kampionatit botëror.

Organizatorët njoftuan se Çmimet e Mëdha të Bahreinit dhe Arabisë Saudite, të planifikuara për muajin prill, janë hequr nga kalendari për shkak të luftës me Iranin dhe situatës së tensionuar në rajon.

Sipas kalendarit fillestar, gara në Bahrein ishte planifikuar të zhvillohej më 12 prill, ndërsa ajo në qytetin saudit Jeddah më 19 prill. Organizatorët kanë bërë të ditur se këto gara nuk do të zëvendësohen me të tjera.

Vendimi u njoftua në orët e para të mëngjesit të së dielës në Shanghai, në prag të zhvillimit të Çmimit të Madh të Kinës.

Presidenti dhe CEO i Formula 1, Stefano Domenicali, deklaroi se vendimi ishte i vështirë, por i domosdoshëm në kushtet aktuale.

“Edhe pse ishte një vendim i vështirë për t’u marrë, për fat të keq është vendimi i duhur në këtë moment, duke marrë parasysh situatën aktuale në Lindjen e Mesme,” u shpreh Domenicali.

Ndërkohë, presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA), Mohammed Ben Sulayem, theksoi se siguria mbetet prioriteti kryesor.

Ai deklaroi se vendimi është marrë pas një vlerësimi të kujdesshëm të situatës dhe shprehu shpresën për rikthimin e stabilitetit në rajon në mënyrë që garat të zhvillohen sërish në të ardhmen.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related