Trump: Nuk jemi gati për marrëveshje me Iranin, mund ta sulmojmë sërish ishullin Kharg

Data

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se Uashingtoni nuk është ende gati të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës me Iranin, pavarësisht se sipas tij pala iraniane mund të jetë e interesuar për negociata.

Në një intervistë telefonike për NBC News, Trump tha se kushtet aktuale nuk janë të mjaftueshme për një marrëveshje dhe theksoi se një nga kërkesat kryesore të SHBA-së mbetet braktisja e plotë e ambicieve bërthamore nga Irani.

Ai bëri të ditur gjithashtu se Shtetet e Bashkuara po bashkëpunojnë me vende të tjera për një plan sigurie në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa çmimet ndërkombëtare të naftës kanë shënuar rritje të ndjeshme.

Trump deklaroi se forcat amerikane dhe ato izraelite kanë neutralizuar shumicën e raketave dhe dronëve të Iranit dhe se aftësitë ushtarake të Teheranit mund të shkatërrohen plotësisht brenda dy ditësh.

Presidenti amerikan konfirmoi gjithashtu se forcat amerikane kanë goditur ishullin Kharg, ku ndodhet një terminal i rëndësishëm i eksportit të naftës iraniane. Sipas tij, infrastruktura energjetike nuk u shkatërrua plotësisht për të shmangur dëme që do të kërkonin vite për t’u riparuar.

“Mund ta godasim edhe disa herë, vetëm për qejf”, u shpreh Trump gjatë intervistës.

Ai ngriti gjithashtu dyshime për gjendjen e udhëheqësit suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, i cili nuk është shfaqur publikisht që nga marrja e detyrës pas vdekjes së të atit.

“Kam dëgjuar se ai mund të mos jetë gjallë. Nëse është, duhet të bëjë diçka të zgjuar për vendin e tij dhe të dorëzohet”, deklaroi presidenti amerikan.

Në intervistë, Trump komentoi edhe luftën në Ukrainë, duke kritikuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe duke thënë se është më e vështirë të arrihet një marrëveshje me të sesa me presidentin rus Vladimir Putin.

Ndërkohë, sipas autoriteteve amerikane, 13 ushtarë amerikanë kanë humbur jetën që nga fillimi i konfliktit në rajon, përfshirë gjashtë persona që humbën jetën të premten në një rrëzim avioni ushtarak në Irak.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related