Një sulm me dron ka shënjestruar vonë në mbrëmje një bazë ushtarake që ndodhet në zonën e Aeroportit Ndërkombëtar të Bagdadit, në Irak.
Lajmi është konfirmuar nga dy zyrtarë të sigurisë për agjencinë AFP. Sipas njërit prej burimeve, droni u rrëzua jashtë murit perimetral të bazës, duke goditur disa depo dhe struktura të përkohshme në zonë.
Si pasojë e shpërthimit u shkaktua edhe një zjarr, ndërsa autoritetet ndërhynë për ta vënë situatën nën kontroll.
Baza ushtarake në aeroport ka pritur për një kohë të gjatë trupa të koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, të angazhuara në luftën kundër grupeve xhihadiste.
Që nga fillimi i përplasjes mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, grupe të armatosura pro-iraniane në Irak kanë ndërmarrë disa sulme ndaj trupave amerikane dhe objekteve ushtarake në Irak dhe në zona të tjera të Lindjes së Mesme.
