Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre të largohen nga disa vende të Lindjes së Mesme, ndërsa tensionet në rajon vijojnë të rriten.
Në një paralajmërim zyrtar, ambasada amerikane u kërkoi qytetarëve amerikanë që ndodhen në Irak të largohen menjëherë nga vendi për shkak të rreziqeve të sigurisë.
“Qytetarët amerikanë që zgjedhin të qëndrojnë në Irak inkurajohen fuqimisht të rishqyrtojnë vendimin e tyre në dritën e kërcënimit të konsiderueshëm që paraqesin grupet terroriste të milicisë të lidhura me Iranin,” thuhet në deklaratën e ambasadës.
Paralajmërimi vjen në një moment kur Irani ka ndërmarrë sulme ndaj objektivave amerikane në disa vende të rajonit, duke rritur ndjeshëm tensionet.
Sipas raportimeve, autoritetet amerikane kanë këshilluar qytetarët e tyre të largohen edhe nga disa vende të tjera të Lindjes së Mesme.
Ndërkohë, sipas agjencisë Reuters, SHBA ka urdhëruar gjithashtu largimin nga Omani të punonjësve qeveritarë jo-emergjentë dhe familjarëve të tyre, si masë paraprake për shkak të situatës së sigurisë në rajon.
