Një sulm me dy dronë, i dyshuar se është kryer nga Irani, ka shkaktuar dëme në një bazë ushtarake pranë një baze të madhe amerikane në Kuvajt, duke lënë të plagosur lehtë tre anëtarë të forcave të armatosura kuvajtiane.
Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Mbrojtjes së Kuvajtit. Zëdhënësi i saj, Saud Al-Otaibi, bëri të ditur se incidenti ndodhi në bazën ajrore Ahmed Al Jaber.
“Tre anëtarë të forcave të armatosura pësuan lëndime të lehta gjatë sulmit në bazën ajrore Ahmed Al Jaber,” deklaroi ai.
Baza ndodhet pranë kampit Arifjan, i cili shërben si qendër e rëndësishme komanduese për operacionet e përbashkëta të forcave amerikane në Lindjen e Mesme nën komandën e CENTCOM.
Sulmi ndodh në një moment tensionesh të larta në rajon, mes përshkallëzimit të konfliktit midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, duke shtuar shqetësimet për sigurinë e trupave ndërkombëtare dhe stabilitetin në zonë.
