PD dorëzon të hënën projektligjin për çmimin e karburanteve, Bozdo: Mekanizëm detyrues që qeveria të ndërhyjë në krizë

Data

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të depozitojë të hënën në Kuvend një projektligj që synon të detyrojë qeverinë të marrë masa automatike për të kontrolluar çmimet e karburantit në rast krizash energjitike globale.

Nënkryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Eno Bozdo, deklaroi se kjo nismë vjen në një moment kur rritja e çmimit të naftës dhe ushqimeve, e ndikuar nga tensionet në Lindjen e Mesme, po rëndon ekonominë familjare dhe atë kombëtare.

Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për një mekanizëm ligjor që detyron qeverinë të reagojë në kohë krize.

“Kur qeverisë nuk ia ndien, duhet të kemi një mekanizëm detyrues që ndihmon shqiptarët dhe ekonominë kombëtare,” u shpreh Bozdo.

Ai theksoi se vendet e Bashkimit Europian dhe disa vende të rajonit kanë ndërmarrë masa konkrete për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve të energjisë, duke përfshirë përdorimin e rezervave strategjike të naftës apo uljen e taksave mbi karburantet.

Bozdo bëri thirrje gjithashtu që Autoriteti i Konkurrencës të monitorojë nga afër kompanitë e tregtimit të karburanteve dhe të ndërhyjë nëse konstatohet abuzim me çmimet apo krijim kartelesh në treg.

Aktualisht, çmimi i naftës në Shqipëri varion nga 192 deri në 196 lekë për litër, rreth 25 lekë më shumë krahasuar me periudhën para nisjes së tensioneve të fundit në Lindjen e Mesme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related