Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe financierit amerikan George Soros, duke pretenduar se reforma në drejtësi është përdorur për interesa politike.
Në një intervistë, Meta deklaroi se sipas tij Soros ka mbështetur krijimin e një sistemi drejtësie që i shërben qeverisë, me qëllim që Shqipëria të kthehet në një vend për pastrimin e parave.
Sipas Metës, kontrolli i drejtësisë nga pushteti politik ka dëmtuar rëndë shtetin e së drejtës dhe ka krijuar një situatë ku institucionet përdoren për qëllime politike.
Ai shtoi se reforma në drejtësi, e cila u prezantua si një proces për të luftuar korrupsionin dhe për të forcuar institucionet, sipas tij është përdorur për të goditur kundërshtarët politikë dhe për të mbrojtur pushtetin.
Deklaratat e Metës vijnë në një moment tensioni të lartë politik në vend, mes debateve për hetimet e SPAK ndaj zyrtarëve të lartë dhe përplasjes së fortë mes qeverisë dhe opozitës për funksionimin e sistemit të drejtësisë.
