Foshnja 2-muajshe nga Korça, e cila ndodhej në gjendje kritike shëndetësore, është transportuar drejt Tiranës për trajtim më të specializuar mjekësor.
Sipas informacioneve paraprake, i mituri u paraqit në pediatrinë e spitalit të Korçës në gjendje shumë të rënduar, ndërsa mjekët raportojnë se parametrat jetësorë ishin në kufijtë minimalë.
Burime nga policia dhe spitali bëjnë me dije se foshnja po mbahej nën kujdes intensiv, ndërsa për shkak të gjendjes së rëndë u vendos transportimi i tij drejt Tiranës.
Nga të dhënat paraprake mësohet se foshnja ka lindur prematurë, në muajin e shtatë të shtatzënisë. Fillimisht ai ishte trajtuar në spitalin e Korçës dhe më pas në Tiranë, nga ku kishte dalë në gjendje të stabilizuar.
Megjithatë, pas kthimit në banesë, gjendja e tij dyshohet se është përkeqësuar ndjeshëm. Dyshimet e para të hetuesve lidhen me kequshqyerjen, ndërsa nuk përjashtohen edhe faktorë të tjerë që mund të lidhen me lindjen e parakohshme.
Burime spitalore bëjnë të ditur se foshnja kishte një peshë rreth 1 kilogram, pothuajse të njëjtë me atë që kishte në momentin e lindjes, çka tregon se gjatë dy muajve të jetës nuk ka pasur zhvillim të mëtejshëm.
Ndërkohë, autoritetet po vijojnë verifikimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.
