Ish-zëvendëskryeministrja dhe ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, i është drejtuar Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) me një kërkesë për shuarjen e masës së sigurisë “pezullim nga ushtrimi i funksioneve”.
Në kërkesën e paraqitur në gjykatë, avokatët e saj argumentojnë se masa nuk ka më efekt, pasi Balluku tashmë është shkarkuar nga funksionet si zëvendëskryeministre dhe ministre.
Kërkesa pritet të shqyrtohet në orën 15:00 nga gjyqtari i posaçëm Erion Çela.
Ndërkohë, ndaj Ballukut vijon të mbetet në fuqi masa e ndalimit për të dalë jashtë vendit.
Ish-ministrja e Infrastrukturës po hetohet për dyshime për abuzime me tenderët e rrugëve në vlera miliona euro. Një ditë më parë, Kuvendi rrëzoi kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e saj.
